GJILANI - DRITA

Borozani / E.Z / Arkiv
Rezultat ‘i bardhë’ në derbin e Anamoravës
3 December, 2017 @14:59
Në një atmosferë impozante të krijuar nga të dyja tifozëritë, ‘Skifterët’ e ‘Intelektualët’, Gjilani e Drita luajtën pa gola dhe u detyruan që në fund të jenë të kënaqura me nga një pikë.
Edhe pse terreni nuk ishte shumë i përshtatshëm për lojë, Gjilani e Drita sot dhuruan futboll atraktiv, i cili dhuroi plot raste për shënim.
Pjesa e parë kaloi me dominimin e Dritës, e cila kryesisht rrezikonte nga sulmet e nisura përmes Xhevdet Shabanit. Një nga rastet më të mira të ndeshjes sot erdhi pikërisht për këtë lojtar në minutën e 7’ të ndeshjes, mirëpo ishte portieri Kaqiu i Gjilanit ai që e mohoi golin e Dritës. Pak para këtij rasti, rast të volitshëm për shënim pati edhe Astrit Fazliu, mirëpo edhe ai u tregua i pasaktë.
Përkundër dominimit të Dritës në këtë pjesë, Gjilani shumë lehtë mund të kalonte në epërsi i pari. Pas një gabimi të mbrojtjes së Dritës, Gëzim Rusi, i penguar edhe nga balta në fushë, nga shumë pak metra nuk u tregua i saktë, ndërsa menjëherë pas këtij rasti të Gjilanit, ishte Drita ajo që rrezikoi me dy raste të njëpasnjëshme në anën tjetër. Fillimisht pranë golit ishte Liridon Leci, ndërsa në fundin e pjesës së parë, Viktor Kuka gaboi me portën zbrazur pas daljes jo të menduar mirë të portierit Donat Kaqiu, duke bërë kështu që pjesa e parë të mbyllet pa gola.
Në pjesën e dytë, ishte përsëri skuadra e Dritës ajo që e kërkoi më tepër golin, por i disponuar për lojë ishte Donat Kaqiu, portieri i Gjilanit, i cili nuk lejoi që skuadra e tij të dilte me humbje nga derbi i Anamoravës. Fillimisht Xhevdet Shabani e goditi shtyllën në minutën e 65’, e më pas ishte Donat Kaqiu ai që vazhdoi me pritjet e tij ‘heroike’ dhe ia mohoi golin Kastriot Rexhës në minutën e 75’ të ndeshjes. Në vazhdim të ndeshjes gjithashtu nuk pati gola dhe takimi u mbyll me rezultat ‘të bardhë’.
Ky rezultat bën që Gjilani të shkojë në pushimin dimëror me 26 pikë të tubuara, ndërsa Drita sezonin pranveror e nis me 30 pikë të tubuara.