Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GJILANI 2-2 BALLKANI

Rivalët barazojnë, Drita feston titullin!

Foto: SC Gjilani

Rivalët barazojnë, Drita feston titullin!


22 July, 2020 @18:56

Dueli kryesor i ditës së sotme në Superligë, ai mes Gjilanit dhe Ballkanit, u mbyll me barazim 2-2 (Kushtrim Shabani 43’, Keita Razak 90+5’ / Mirlind Daku 73’, Jetmir Topalli 76’), rezultat i cili bën që titulli i kampionit për sezonin 2019/2020 të shkojë te Drita kur jemi një xhiro para fundit. Skuadra e Dritës ka bilanc më të mirë se Gjilani në ndeshjet direkte (2 fitore, 1 humbje), prandaj duke qenë 3 pikë diferencë mes tyre, në xhiron e fundit edhe nëse Drita mposhtet e Gjilani fiton, titulli shkon te Drita.

Rezultati i arritur sot nuk i shkoi për shtati as Ballkanit e as Gjilanit, që deri më sot ishin fuqishëm në garë për titull, e ky i fundit për herë të dytë në tri vitet e fundit shkon te Drita.

Ndeshjen më mirë e filloi Ballkani, skuadër kjo që shpërdoroi dy raste tejet të mira në 15 minutat e parë. Fillmisht Blend Baftiu (6’) gjuajti mbi portë nga jo shumë larg, e më pas Ermal Krasniqi rrezikoi me kokë, goditje që e detyroi portierin Kenan Haxhihamza ta bëjë një pritje bravoroze për ta shpëtuar skuadrën e tij (12’).

E kjo iu revanshua Ballkanit.

Në minutën e 43’ të ndeshjes, ishte Kushtrim Shabani i vendasve ai që e gjeti rrjetën, për ta dërguar skuadrën e tij me epërsi 1-0 në pushim.

TABELA AKTUALE

Me të hyrë në pjesën e dytë, Ballkani me zëvendësime ofansive u tregua skuadër dukshëm më kërkuese.

Sulmet e vazhdueshme të Ballkanit, që disa herë me radhë u ndalën nga Kenan Haxhihamza në formë, u shpërblyen pas minutës së 70’.

Fillimisht Mirlind Daku (73’) barazoi pas asistimit të Ermal Krasniqit nga ana e majtë, e më pas “momentumin” e fituar Ballkani e shfrytëzoi maksimalisht, duke shënuar për 1-2 vetëm 3 minuta më vonë. Golin e dytë të suharekasve e shënoi mjeshtërisht Jetmir Topalli me kokë (76’) pas një krosimi të Arbër Potokut, përsëri nga krahu i majtë.

E epërsinë e arritur me përmbysje Ballkani e menaxhoi mjaft mirë deri në minutën e pestë të kohës shtesë (90+5’), moment në të cilin Keita Razak i vendasve shënoi për 2-2, gol që ia mohoi Ballkanit ëndrrën për titullin historik, të parin në historinë e klubit.

Me titullin që tashmë shkon te Drita, Gjilani në xhiron e fundit do të provojë ta ruajë vendin e dytë, që dërgon në gara evropiane, kurse Ballkani ka edhe një mundësi tjetër për gara evropiane, finalen e Kupës ndaj Prishtinës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga