BARCELONA - NAPOLI
Rrahmani 90 minuta, Barcelona e Napoli barazojnë
17 February, 2022 @20:44
Dy skuadra evropiane që zakonisht jemi mësuar t’i shohim në fazën e eliminimit direkt në Champions League, sonte i pamë në Europa League.
Bëhet fjalë për Barcelonën dhe Napolin, që sonte u përballen në Camp Nou dhe ndeshjen e mbyllën me barazim 1-1.
Pjesa e parë u mbyll me rezultat 0-1 në të mirë të Napolit. Pas një rasti tejet të mirë të shpërdoruar nga Fernan Torres, golin në anën tjetër e gjeti Zielinski i Napolit (29’) dhe kështu pjesa e parë u mbyll me epërsinë e italianëve.
Epërsia e tyre zgjati deri në minutën e 59’, kur Fernan Torres shënoi nga pika e bardhë për 1-1. Në pjesën e mbetur të ndeshjes, Barcelona ishte më kërkuese, por gol tjetër nuk gjeti dhe ndeshja u mbyll me barazim. Fajtor që Barcelona nuk e fitoi këtë ndeshje pjesërisht ishte edhe Fernan Torres, që ndonëse shënoi nga pika e bardhë, shpërdoroi edhe dy-tri raste tejet të mira për shënim.
Qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, ishte startues sonte për Napolin dhe luajti përgjatë gjithë ndeshjes.
Siç dihet, më goli në terrenin kundërshtar nuk ka rëndësi më të madhe dhe rrjedhimisht skuadrat e nisin ndeshjen kthyese duke qenë plotësisht të barabarta.