Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ALBION RRAHMANI ARRIN 5 GOLA NË PRANVERË!

Rrahmani në formë, Ballkani përmbys Drenicën për ruajtje të kreut

Rrahmani në formë, Ballkani përmbys Drenicën për ruajtje të kreut


19 February, 2023 @22:44

Ballkani ka vazhduar të ruajë kreun e Superligës që e zuri në javën e kaluar, ndërsa sulmuesi i tyre i qendrës, Albion Rrahmani ka treguar edhe njëherë që është në formë tepër të mirë këtë pranverë.

Pas hat-trickut të shënuar në xhiron e kaluar, kësaj radhe “nëntëshja” e Ballkanit është përkujdesur që të përmbys Drenicën që kaloi befasisht në epërsi në fillim të ndeshjes.

Ka qenë kongolezi Bintsouka Koxy që i dha avantazhin Drenicës në fillim të takimit, kur pranoi një top nga portieri Altin Gjokaj, për të zënë në gjumë mbrojtësit e Ballkanit dhe për të shënuar për epërsinë befasuese të ekipit të drejtuar nga Bekim Shotani.

Por, e tëra përfundoi këtu për kuqezinjtë e Skenderajit, pasi që pas kësaj në fushë ishte vetëm një ekip - kampioni! Ballkani mblodhi veten dhe shpejt barazoi përmes një goditjeje të mençur të Rrahmanit (25). Ndërsa pas një morri rastesh të krijuara dhe të humbura nga bashkëlojtarët, në fund ka qenë përsëri Rrahmani, që pasi pranoi një top prej Nazmi Gripshit gjeti portën e Gjokajt për t’i dhënë fitoren ekipit të tij, Ballkani 2-1 Drenica [Albion Rrahmani 25, 89 - Bintsouka Koxy 7].

Fitorja bën që Ballkani të dalë në shifrën e 44 pikëve pas 20 ndeshjesh në Superligë dhe të jetë me 3 pikë mbi Dritën ndjekëse, derisa ekipet tjera duket se kanë lëshuar dorë nga gara për titull. Ndërkaq Drenica e rrezikuar është e parafundit në renditje, pozita e nëntë, me 20 pikë nga po aq ndeshje.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga