AMIR RRAHMANI

Foto: FFK
Rrahmani: Nëse dështojmë në këtë ndeshje, 99% jemi jashtë evropianit
15 June, 2023 @19:12
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka dalë sot në konferencë për shtyp para ndeshjes që Kosova e luan me Rumaninë nesër. Ai ka qenë i qartë dhe ka treguar synimin që e ka Kosova në këtë ndeshje, ndërsa ka theksuar se pos fitores çdo gjë në këtë përballje do të thotë vështirësi dhe pamundësi për të arritur evropianin.
“Kjo është ndeshja më e rëndësishme në këtë cikël kualifikues, pasi kemi përball konkurrentin kryesor për vendin e dytë. Rumania ka 6 pikë me plot meritë dhe shpresoj që ne të luajmë lojën tonë, të fitojmë dhe t’i afrohemi me pikë. Kjo ndeshje e vendos shumë fatin e këtij grupi dhe pres përkrahje nga tifozët për ta mposhtur Rumaninë, në mënyrë që të mbajmë gjallë shpresat për kualifikim. Synimi është ta fitojmë këtë ndeshje dhe do të japim gjithçka nga vetja për fitore”, ka thënë Rrahmani.
Ai ka pranuar se në rast dështimi në këtë ndeshje atëherë 99 për qind Kosova do të jetë jashtë Evropianit.
TABELA dhe ORARI I NDESHJEVE drejt EURO2024
Kosova, pas dy ndeshjeve të para në ciklin kualiifkues për EURO 2024 që do të mbahet në Gjermani ka marrë dy pikë, duke barazuar ndaj Izraelit dhe Andorrës në shtëpi, në këtë të fundit që u cilësua ndër befasitë më të mëdha deri tash, ndërsa u pa me mjaft kritika te opinioni ynë.
Gjatë qershorit, Kosova do të ketë dy duele te të cilat pret të arrijë fitoren e parë në rrugëtim për EURO 2024. Dardanët presin Rumaninë më 16 qershor në Prishtinë, para se të udhëtojnë për në ndeshje ndaj Bjellorusisë në Hungari, ku do të zhvillohet ndeshja.◼️