LORET SADIKU
Sadiku i kthehet stërvitjeve
2 November, 2016 @23:04
Futbollisti nga Kosova, Loret Sadiku, e ka lënë pas lëndimin që e detyroi atë të mungojë rreth një muaj e gjysmë.
Mbrojtësi 25 vjeçar tashmë ka filluar të stërvitet me skuadrën e tij turke, Kasimpasa.
Ky lajm më së shumti e ka gëzuar përzgjedhësin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, i cili sipas gjendjes fizike të futbollistit do ta shqyrtojë mundësinë e grumbullimit të tij për ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Turqisë që do të luhet pas dhjetë ditësh në Antalya të Turqisë.
Megjithatë, para kësaj ndeshjeje, Sadiku po synon që të jetë sa më i përgatitur në mënyrë që të luajë për skuadrën e tij në ndeshjen kundër Konyasporit të Alban Mehas në këtë fundjavë.
Përndryshe, edhe nëse do të jetë i gatshëm plotësisht në aspektin fizik për t’iu bashkuar Kosovës, paraqitja e tij nuk do të jetë e sigurtë për shkak se futbollisti ende nuk e ka aprovimin nga FIFA për të luajtur me Kosovën në ndeshjet zyrtare.
Sadiku është një futbollist shumë i rëndësishëm për përfaqësuesen e Kosovës, sidomos për shkak të numrit të vogël të lojtarëve cilësorë në pozitat defansive.