TRAJNERI

Sahiti lë Gjilanin për Kosovën
10 March, 2014 @22:05
Vetëm një javë pa filluar edicioni pranveror i Ligës së Parë të Kosovës në futboll, njëra ndër ekipet që pretendon Superligën dhe që ka mundësi të mëdha për të arritur aty, Gjilani, ka mbetur pa trajner.
Ish futbollisti i tyre dhe ndihmës trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij si trajner i Gjilanit, me arsye se i janë shtuar tepër angazhimet me përfaqësuesen e Kosovës pranë ndeshjes së dytë miqësore që verdhekaltërit e zhvillojnë ndaj Turqisë, në maj.
Kështu, derisa Gjilani do t’ia nis stinorit pranveror me trajner të ri, Sahiti do të mirret me përfaqësuesen e skuadrat tjera do të shpresojnë në gabime eventuale të Gjilanit për t’ia zënë vendin rrugës për Superligë.
Gjilani ka përfunduar vjeshtën në Ligën e Parë me 30 pikë nga 15 ndeshje të zhvilluara, me 9 fitore, 3 barazime e 3 disfata, derisa lider është Vëllaznimi me 36 pikë.