WENGER

REUTERS
Beson te ekipi
10 March, 2014 @19:58
Përkundër se Arsenal u mposht në ndeshjen e parë nga Bayern në Emirates, shpresa për rezultat të madh dhe pozitiv në Allianz Arena ekziston te londinezët.
Së paku kështu ka thënë trajneri françez i Arsenalit, Arsene Wenger, i cili në konferencën për shtyp para ndeshjes me bavarezët ka shprehur besimin që ka te ekipi i tij.
“Vështirë është të thuhet nëse Bayern është më i mirë këtë stinor sesa në të kaluarin. Sidoqoftë ata kanë cilësi për të qenë në maje të Europës. Do të ishte gjithsesi madhore po të shënojmë fitore të madhe nesër. Një fitore e tillë do të na ipte qëndrueshmëri edhe për vazhdimin e stinorit në Angli. Historia e stinorit të kaluar është me rëndësi, kjo tregon që ne do të mundemi ta bëjmë një gjë të tillë. Një gol i hershëm do të na ndihmonte shumë. Por ne mund të shënojmë edhe më vonë. Sidoqoftë, kam besim te lojtarët,” ka thënë Wenger mes tjerash lidhur me ndeshjen e kthimit që fillon pas 24 orësh në Munchen.
Arsenal u mposht si vendas 0-2 nga Bayerni tre javë më parë. E njejta gjë i kishte ndodhur edhe në stinorin e kaluar kur Bayern e kishte mposhtur 1-3 në Emirates, por Arsenal përkundër se fitoi 0-2 në Allianz Arena nuk arriti të kualifikohet vetëm falë golave më pak të shënuar si mysafir. E Bayern, pas kësaj ndeshjeje ishte më i pandalshëm dhe morri titullin e Europës, e pastaj edhe të Botës në futbollin ekipor.