SKËNDERBEU
Salihi për Ligë të Kampionëve
3 July, 2015 @12:42
Sulmuesi 31 vjeçar i kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi, që së fundi luajti në elitën izraelite të futbollit ka arritur marrëveshje me Skënderbeun e Korçës.
Marrëveshje e pjesshme
Njoftimin e ka dhënë Panorama Sport sot, duke bërë të ditur se ekipi kampion i Shqipërisë është dakorduar me Salihin që ai të jetë pjesë e skuadrës gjatë kualifikimeve për Ligë të Kampionëve.
“Kemi arritur marrëveshje që sulmuesi Salihi të jetë pjesë e jona për ndeshje të Ligës së Kampionëve. Më pas, për një tjetër bashkëpunim, duhet të presim,” është cituar të ketë thënë për gazetën në fjalë Gerhard Takaj, menaxher i përgjithshëm i skuadrës korçare.
Përgatitjet për Ligë të Kampionëve
Skënderbeu, dje njoftoi se Salihi i është bashkuar në stërvitje skuadrës korçare që po e kalon fazën përgatitore në Austri.
Skënderbeu ia nis kualifikimeve për Ligë të Kampionëve nga raundi i dytë kualifikues, dhe për ballë do të ketë fituesin e ndeshjes Crusaders - Levadia (ka përfunduar ndeshja e parë 0-0 në mes kundërshtarëve potencial të Skënderbeut). Crusaders është kampion i Irlandës Veriore, ndërsa Levadia, kampion i Estonisë.
Ndeshja e parë kualifikuese e raudit të dytë zhvillohet në Korçë më 14 korrik, derisa e kthimit një javë më vonë te ekipi mysafir.