PASUROHET
Sebino Plaku fiton gjyqin me Slaskun
25 February, 2017 @16:45
Sulmuesi i Skënderbeut, Sebino Plaku, ka fituar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në Federatë e Futbollit të Polonisë për prishjen e kontratës me ekipin e tij, Slask.
Sipas asaj që raportojnë mediat polake, klubi i Slaskut është i detyruar t’i paguajë 200 mijë euro dëmshpërblim shqiptarit për mosrespektim të kontratës. Mirëpo, Federata polake nuk është mjaftuar me kaq, pasi për rastin e Plakut ka gjobitur Slaskun edhe me 150 mijë euro, tjera.
Tashmë sulmuesi i Skënderbeut ka hapur një tjetër gjyq ndaj ish-klubit dhe ditët e fundit ka munguar në stërvitje me korçarët. Arsyeja që Plaku ka bërë një tjetër padi është për shkak të denigrimit të figurës së tij. Për këtë arsye atij i është dashur të udhëtojë disa ditë më parë drejt Polonisë pasi duhet të ishte patjetër i pranishëm në federatën vendëse bashkë me avokatin e tij.