MEDIA
Seedorf - Duka, drekë në Durrës
11 July, 2017 @8:50
Derisa dje u përfol për Filippo Inzaghin si përzgjedhës që nuk do të vinte në Shqipëri, sot ditorja sportive tiranase, Sport Ekspres ka bërë të ditur se kreu i FSHF-së, Armand Duka ka pasur takim të fshehtë me Clarence Seedorfin në Durrës.
Sipas kësaj gazete, dreka mes Seedorfit dhe Dukës ka shkuar sipas planit të kreut të FSHF-së, derisa trajneri holandez nuk ka përmendur fare financat në këtë takim.
Edhe ditë më parë është përfolur në mediat shqiptare se Seedorf është më shumë i pëlqyer nga Duka, pikërisht për këtë fakt, që holandezi do të pranonte detyrën e zëvendësuesit të Gianni de Biasit, derisa nuk do të kërkonte rrogën e tij.
FSHF ndërkaq në muajin e shkuar ka bërë të ditur se kombëtarja shqiptare në futboll do të ketë trajnerin e ri të saj më së largu në muajin korrik, të cilit i kanë mbetur edhe 20 ditë deri në fund.