FUNDI I VJESHTËS
Sejdiu bën Ferronikelin kampion vjeshtor
23 November, 2014 @14:55
Gani Sejdiu ka arritur që të bëj ekipin e tij kampion vjeshtor të Superligës. Ferronikeli me taktizime, duke u mbrojtur në fillim dhe duke u hapur vetëm pasi që pësuan golin, ka arritur që të përfundojë vjeshtën në krye të elitës së futbollit.
Njëri ndër më të merituar për pikën e sotme të drenicakëve, padyshim ka qenë portieri i tyre, Granit Kolshi, që ka qenë vendimtar në disa momente të ndeshjes.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi pa gola. Mitrovicasit ishin shumë më kërkues në ndeshje, por portieri i drenicakëve, Granit Kolshi, ka qenë më meritori që ekipi i Ferronikelit nuk pësoi.
Trepça’89 nuk ndalej, pasi që atyre vetëm fitorja ua sillte titullin e kampionit vjeshtor - që bëri edhe ndeshjen më interesante.
E golin e shumëkërkuar e arritën në pjesë të dytë kur Blerand Kurtishaj asiston te Berat Hyseni, për golin e Trepçës’89. Ka qenë një gëzim i madh te mitrovicasit.
Mirëpo, Gani Sejdiu dha urdhër për sulm të përgjithshëm, që u vërejt menjëherë te loja e Ferronikelit.
Gati 15 minuta më vonë, sulmet e Ferronikelit u shpërblyen. Krosimi i Lulzim Doshlakut në zonë, ndërsa te rrëmuja e krijuar, Isa Eminhaziri u gjend më së miri për të barazuar rezultatin.
Festa e drenicakëve menjëherë pas lojës ishte e madhe, derisa mitrovicasit kanë organizuar edhe një ndeshje të madhe për mrekulli.
Trepça’89 ka regjistruar barazimin e gjashtë me radhë, derisa tashmë 11 ndeshje nuk kanë pësuar, e Ferronikeli ka gjashtë javë që nuk ka shijuar disfatë.