FLET GIANNI DE BIASI
Serbia favorite, por Shqipëria s’është Hirushja
13 October, 2014 @22:15
Tekniku italian i kuqezinjëve, Gianni De Biasi, për herë të dytë brenda javës ka deklaruar se Serbia është ekipi më i fortë në grup.
Ashtu si edhe ditë më parë, edhe sot në konferencën për shtyp para ndeshjes me Serbinë, De Biasi, ka thënë se Serbia është favorit i Grupit I kualifikues për EURO 2016.
“Për mendimin tim, favoriti kryesor i grupit është Serbia. Edhepse atë nuk e treguan në Armeni, ata janë të parët, pastaj vjen Danimarka e pas tyre Portugalia. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ne kemi heq dorë nga synimet tona fillestare,” citohet të ketë thënë italiani 56 vjeç nga mediat serbe sot.
Motivi i kuqezinjëve nuk mungon fare dhe këtë e ka theksuar De Biasi në Beograd.
“Ne jemi këtu për të vështirësuar punët e të gjithëve me cilësi dhe me punë në fushë. E njohim mirë Serbinë. I kemi analizuar shumë, mirëpo ata kanë tani trajner të ri dhe loja e tyre dosido do të ndërrojë pak,” shtoi ai.
“Sidoqoftë, presim ndeshje të vështirë, por kemi ardhur për të luftuar denjësisht ashtu që në fund të festojnë tifozët tanë. Ne nuk jemi Hirushja e përrallave, këtë e kemi treguar në dy ndeshjet e para. Do t’i shfrytëzojmë pikat e dobëta të Serbisë dhe do të kërkojmë të arrijmë tre pikët që të sjellim festë te tifozët,” ka thënë mes tjerash italiani, që deri më tani, ka ekipin më të mirë në dorë kuqezi.
Shqipëria nesër mbrëma ndeshet me Serbinë në Beograd në takimin që nis prej 20:45. Shqipëria ka 4 pikë nga 2 ndeshje, derisa Serbia 1 pikë nga ndeshja e vetme e tyre e zhvilluar deri sot.