PËR GJYSMËFINALE
Serbia mposht Kroacinë për të fituar derbin ballkanik
18 August, 2016 @9:02
Basketbollistët e Serbisë janë treguar më të mirë sesa ata kroatë në përballjen e mëngjesit të sotëm në Rio.
Serbia ka mposhtur Kroacinë me vetëm 3 pikë dallim në fund, duke e siguruar gjysmëfinalen ndaj Australisë në Lojërat Olimpike të Rios.
Kroacia u mundua mjaft për të fituar ndeshjen në çerekun e fundit, kur shkriu epërsinë 14 pikëshe të serbëve, por në fund, me faulime taktike dhe me gjuajtjet e lira precize nga Milos Teodosic dhe Nikola Jokic, Serbia arriti gjysmëfinalen e Rios në debutimin e saj në LO.
Dallimi në ndeshje u bë në çerekun e tretë, kur serbët e fituan atë 34-14. Kurse furia kroate prej 22-7 në çerekun e fundit nuk arriti më tepër, pasi që Miroslav Raduljica shënoi gjuajtjet e lira për 79-75, që i dha fund shpresave kroate.
Bogdan Bogdanovic ka qenë më efikasi te Serbia, me 18 pikë e 5 asistime duke shtuar këtu edhe 3 topa të vjedhur. Ndërsa atij i kanë ndihmuar me nga 12 pikë të shënuara edhe Stefan Markovic, Mirsolav Raduljica e Nikola Jokic.
Te kroatët, 16 pikët e 8 kërcimet e Mario Hezonjas dhe performanca fenomenale e Bojan Bogdanovicit me 28 pikë, 2 asistime e 3 kërcime shkuan kot.
Gjysmëfinalet Serbia-Australia dhe SHBA-Spanja, zhvillohen nesër.