DRENICA - TREPÇA '89

Seria e liderit ndalet nga Drenica
6 April, 2017 @16:58
Në takimin e luajtur në ‘Bajram Aliu’ të Skënderajit, lideri i Superligës së Kosovës është ndalur për herë të parë pas 8 xhirove. Trepça ‘89 kishte 6 fitore radhazi në stinorin pranveror, ndërsa 8 gjithsej nëse numërojmë edhe dy ndeshjet e fundit të sezonit vjeshtor, mirëpo kjo seri e mrekullueshme u ndal sot nga Drenica, e cila u tregua skuadër tejet e disciplinuar dhe nuk lejoi fitoren e mysafirëve.
Pjesa e parë kaloi me lojë të fortë nga të dyja skuadrat dhe pa raste konkrete për shënim, me përjashtim të një rrezikimi të Kreshnik Lushtakut në minutën e 23’ dhe një tjetër të Idrizit në fundin e pjesës së parë, mirëpo gola nuk pati dhe pjesa u parë u mbyll 0-0.
Në pjesën e dytë, mitrovicasit e vazhduan dominimin me posedim të topit, kurse rasti më i mirë për shënim u paraqit në minutën e 55’, momentin kur Oto Johnit iu mohua goli nga portieri Sadiku, i cili reagoi në mënyrë fantastike për ta shpëtuar skuadrën e tij.
Trepça ‘89 rrezikoi edhe në vazhdim të takimit, mirëpo goli nuk u gjet për asnjë moment. Njëri nga rastet më të mira të ndeshjes u shfaq për Fiton Hajdarin, mirëpo ky i fundit u tregua i pasaktë para portës vendase.
Me gjithë presionin dhe mundësitë për shënim, gjërat për mitrovicasit u komplikuan në minutën e 81’ të takimit, me Sambaoun që u përjashtua nga loja për shkak të dy kartonëve të verdhë, duke e bërë kështu edhe më të vështirë arritjen e fitores, e cila nuk erdhi në asnjë moment dhe lideri i Superligës u detyrua të pajtohej me barazim, i cili është i pari në këtë vit kalendarik sa i përket Superligës.
Kur ndeshja ishte pranë përfundimit, edhe Drenica mbeti me një lojtar më pak në fushë. Ishte Qëndrim Krasniqi ai që u largua nga loja për shkak të dy kartonëve të verdhë, mirëpo kjo nuk luajti rol në epilogun final të takimit dhe takimi u mbyll me rezultat të bardhë, rezultat i cili bën që diferenca mes ‘89shit dhe ndjekësve në luftën për titull të ngushtohet.