DUKAGJINI - MALISHEVA

Shabani e Elezaj për 3 pikë, fitore e rëndësishme për Dukagjinin
16 October, 2021 @14:58
Një fitore mjaft e rëndësishme për Dukagjinin në luftë për mbijetesë.
Sot skuadra nga Klina fitoi 2-0 (Bujar Shabani 68’, Granit Elezaj 90+3’) ndaj Malishevës, për t’i arkëtuar kështu tri pikë mjaft të vlefshme.
Që nga minuta e 11’, Malisheva këtë takim e luajti me një lojtar më pak. Ardian Hoti u përjashtua me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Altin Merlakut.
Deri në mesin e pjesës së dytë, malishevasit u mbajtën mirë, përkundër inferioritetit numerik, mirëpo në minutën e 68’ mbrojtja mysafire u thye, pasi që Bujar Shabani i klinasve shënoi për epërsinë fillestare të Dukagjinit.
Krejt në fund të ndeshjes, Dukagjini shënoi edhe një herë përmes sulmuesit Granit Elezaj (90+3’) dhe ndeshja u mbyll me rezultat 2-0 për klinasit.
Kjo ishte fitorja e dytë me radhë për Dukagjinin në ndeshjet e luajtura në shtëpi, fitore e cila i jep shpresë për mbijetesë, përderisa Malisheva momentalisht është e qetë në mes të tabelës.
Xhiron që vjen, Dukagjini e pret Ballkanin, kurse Malisheva i shkon Prishtinës në kryeqytet.