BALLKANI - LLAPI
Shkëlqen Ermal Krasniqi, Ballkani në krye të Superligës
18 September, 2021 @18:30
Pas barazimit pa gola ndaj Dritës në mesjavë, Ballkani fitoreve i është rikthyer në ndeshjen e luajtur ndaj Llapit në shtëpi.
Ky takim, pjesa e dytë e të cilit filloi me vonesë për shkak që tifozët e pranishëm u detyruan ta lëshojnë stadiumin, në fund përfundoi me rezultat 2-0 (Ermal Krasniqi 13’, 90+3’) në të mirë të suharekasve.
Për epërsinë e Ballkanit shënoi Ermal Krasniqi në minutën e 13’. I shërbyer nga Edvin Kuç, Krasniqi e dërgoi topin në rrjetën llapjane dhe ia dha epërsinë fillestare suharekasve.
Gjatë pjesës së dytë, skuadra llapjane tentoi ta gjejë golin e barazimit, por kjo nuk ndodhi. Ishte Ballkani ekipi që në minutën e 90+3’ shënoi pëmes kombinimit Malaj - Krasniqi, me këtë të fundit që e çoi topin në rrjetë për përfundimtaren 2-0.
Gjërat për Ballkanin u bënë edhe më të lehta kur Arbnor Ramadani i Llapit u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë në minutën e 72’ dhe e la skuadrën e tij me dhjetë lojtarë për pjesën e mbetur të ndeshjes.
Vlen të përmendet që sot te Ballkani debutoi edhe sulmuesi i sapoardhur, Solomon, i cili e goditi shtyllën me të djathtën në njërën prej pak prekjeve të topit që i bëri gjatë pak minutave sa luajti.
Fitorja e shënuar sot e bën skuadrën e Bekim Isufit lidere të Superligës momentalisht, kurse Llapi mbetet akoma me 2 pikë.
Xhiron që vjen, Ballkani i shkon Malishevës, kurse Llapi e pret Drenicën.