BLEDI SHKËMBI
Shkëmbi: Në pushim lojtarët e kuptuan që duhet dhënë maksimumi
10 April, 2021 @17:48
Skuadra e Ballkanit me fitoren e sotme me rezultat 4-1 ndaj Besës, është bërë lider së paku përkohësisht në Superligë.
Suharekasit fitoren e siguruan me një lojë krejtësisht ndryshe në pjesën e dytë, ku arritën të shënojnë tri herë.
Lidhur me dallimin e lojës mes dy pjesëve, trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi, tha se ai erdhi vetvetiu pasi që lojtarët e kuptuan që duhet dhënë maksimumi për të arritur deri tek fitorja.
“Këto ndeshje janë më të vështira sidomos për trajnerët sepse duhet të motivohet në mënyrë të duhur ekipi. Në pushim nuk i thash asgjë lojtarëve, vetëm se lojtarët e kuptuan që pa dhënë maksimumin nuk mund të fitosh ndaj asnjë ekipi. Mendoj që në pjesën e dytë reaguam më mirë, arritëm të shënojmë, patëm shumë raste dhe më vjen mirë që futbollistët vet e kuptuan situatën”, tha Shkëmbi për Art Sport.
Ndërkaq në pyetjen se çka e kënaqi atë më së shumti në këtë ndeshje, trajneri korçar u përgjigj duke e lëvduar golin e Nazmi Gripshit nga gjuajtja e lirë.
“Patjetër që tri pikët janë ato që më kënaqin më shumë, por qoftse duhet të veçoja diçka, patjetër që goli i Gripshit ishte për reklamë”, përfundoi ai.