TREGIMI I PABESUESHËM
Shpëtoi nga Tsunami, nënshkroi për Sportingun!
Shkruan: Great Goals; Fotografitë: Reddit
2 July, 2015 @15:48
Sportingu i Lisbonës dje ka zyrtarizuar lojtarin e ri në ekip, Martunis. Tregimi jetësor i djaloshit të ri te Sportingu është i jashtëzakonshëm.
I mbijetuari
Ai është sot 17 vjeç, ndërsa 11 vite më parë Martunis u gjet i gjallë, në një pjesë të plazhit, larg vendlindjes, 21 ditë pasi që Tsunami kishte goditur Acehun në Indonezi në dhjetor të vitit 2004.
Tsunami morri jetën e 230 mijë njerëzve, përfshirë këtu nënën dhe motrat e futbollistit të sotëm të Sportingut!
Fanella
Martunis kishte mbijetuar duke ngrënë barishte dhe kur u gjet i gjallë u bë lajm nga një gazetar i Sky Newsit. Përveç që mbijetoi ai u bë i njohur dhe i famshëm në Portugali, pasi që u gjet me fanellën e përfaqësueses portugeze me numër dhjetë me emrin e Rui Costas.
Tregimi i tij morri zemrat e thuajse gjithë portugezëve, duke përfshirë këtu edhe Cristiano Ronaldon. Atëherë lojtar i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo pagoi për shtëpinë e tij dhe rehabilitimin për anëtarët e mbetur të familjes.
Shpresa
“Nuk jam frikësuar se do të vdes, sepse ende doja të jetoja, të takohem me familjen time dhe të bëhem futbollist,” kishte thënë Martunisi për Sky Newsin kur u gjet si i mbijetuar në plazh.
Ëndrra
Cristiano Ronaldo takoi edhe në disa raste Martunisin, së fundi në vitin 2013, derisa djaloshi theksoi ëndrrën e tij se një ditë dëshiron të vesh fanellën e Portugalisë.
Martunis tash do të luajë për ekipin U-19 të Sportingut dhe do të ketë rastin që të jetësojë njërën nga ëndrrat e tij.