NË VUSHTRRI
Shpresë për Vushtrrinë, e katërta me radhë për Gjilanin
7 April, 2016 @15:52
Skuadra e Rizvan Jetullahut ka shënuar fitore të rëndësishme ‘si uji’ sot në “Ferki Aliu”. Vushtrria ka mposhtur Gjilanin që është në krizë të rezultateve dhe ka shtuar gjasat për t’i ikur rënies direkte nga Superliga.
Daut Maxhuni dhe Bajram Zuqaku me golat e tyre në pjesë të parë kanë dhënë sinjale të qarta se nuk do të ketë asnjë pikë për gjilanasit sot në Vushtrri, ndërsa në pjesë të dytë me mbrojtje të sigurt ata kanë arritur t’i sigurojnë tre pikë.
Gjilani me trajnerin e ri Megzon Visoka (që morri detyrën e trajnerit pas largimit të Bylbyl Sokolit ditë më parë) ka përjetuar humbjen e parë, ndërsa të katërtën me radhë në Superligë.
Gjilani tash duhet të ketë kujdes mos po bie në zonën e Play-Outit të Superligës, derisa në fillim të muajit të kaluar konsiderohej kandidat për titull!!!
Në anën tjetër, Vushtrria ka shtuar gjasat për t’i ikur rënies direkte, në xhiron kur fituan thuajse të gjitha skuadrat e pjesës së poshtme të tabelës.