TAHIR BATATINA
Jemi ende në garë për trofetë
6 April, 2016 @20:40
Humbja e sotme e Llapit ndaj Prishtinës nuk ia ka prishur edhe shumë motivimin e trajnerit të skuadrës llapjane, Tahir Batatina.
Ai pas ndeshjes tha se skuadra e tij ende është në garë për dy trofetë, derisa Prishtinës duke ia uruar fitoren shtoi se kjo skuadër nuk meriton të luajë në Play Out.
“Edhe kjo ndeshje, si disa tjera, nuk na eci ashtu siç duhet. Prishtina nuk e meriton të shkoj në Play Out dhe është mirë që sot i ka marrë tre pikë dhe besoj se do të ikën, sepse të gjithë jemi të interesuar ta shpëtojmë dhe i uroj fitoren. Ndeshja ishte e mirë, kurse gjykimi duhet të jetë i mirë pa marrë parasysh dhe një referim i tillë nuk i kontribuon futbollit të Kosovës. Kurse nuk jemi në presion, jemi kthyer nga Liga e Parë, do të vazhdojmë të përmirësohemi, edhe pse Ferronikeli ka fituar tre pikët, ne nuk do të dorëzohemi, Llapi nuk do të kalkuloj dhe të paktën dikujt do t’ia humbim titullin. Ne jemi në garë ende për dy trofetë, kurse Kupën nuk e lëshojmë as nëse kanë përforcime nga ajri,” tha Batatina.
Skuadra e Llapit paksa ka harruar shijen e fitores në Superligë, pasi që në katër xhirot e fundit nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje, ndërsa akullin do të mundohet ta thejë në ndeshjen e ardhshme ku e pret skuadrën e Vushtrrisë.