U21
Shqipëria barazon me 10 lojtarë
3 September, 2015 @16:56
Shqipëria nuk ka mundur të arrijë më shumë se një barazim në ndeshjen kundër Izraelit, që u zhvillua në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Europian të grupmoshave nën 21 vjeç, Euro 2017.
Të përzgjedhurit e trajnerit Redi Jupi u ndanë me rezultat 1-1 nga fusha e stadiumit Qemal Stafa.
Telashet për kuqezinjtë e rinj filluan në gjysmë orëshin e parë, kur ekipi izraelit shënoi për 1-0 me golin e sulmuesit Dor Hugy, derisa sulmuesi kryesor i Shqipërisë, Rey Manaj, e detyroi trajnerin Redi Jupi ta largojë nga ndeshja për shkak të lëndimit.
Në vend të Manajt u inkuadrua në lojë kosovari Albion Avdijaj, i cili më pas edhe u përjashtua me karton të kuq duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak.
Megjithatë, Shqipëria arriti që së paku të ndahet pa humbje nga kjo ndeshje, duke shënuar në minutën 83’ me Endri Cekicin nga penalltia.
Me këtë rezultat, Shqipëria arrin në katër pikë nga dy ndehshjet e para të luajtura në grup, aq sa ka edhe Izraeli, por që renditet më lartë për shkak të golaverazhit më të mirë.
Tabela aktuale e grupit 4
1 | Izraeli | 2 ndeshje | 4 pikë | |
2 | Shqipëria | 2 ndeshje | 4 pikë | |
3 | Hungaria | 1 ndeshje | 3 pikë | |
4 | Portugalia | 0 ndeshje | 0 pikë | |
5 | Greqia | 0 ndeshje | 0 pikë | |
6 | Lihtenshtajni | 3 ndeshje | 0 pikë |