KUNDËRSHTARI
Olsen në dilemë, Durmishi mund të jetë startues
3 September, 2015 @10:46
Mungesa e futbollistit të PSV Eindhovenit, Simon Poulsen, dhe atij të Ajaxit, Nicolai Boilesen, që të dy futbollistë të pozitës së krahut të majtë të mbrojtjes, e ka futur në telashe serioze përzgjedhësin e përfaqësueses së Danimarkës, Morten Olsen.
Në mungesë të dy zgjedhjeve të para, alternativë e Olsenit mund të jetë edhe futbollisti me prejardhje shqiptare, Riza Durmishi.
Megjithatë Durmishi do të jetë në konkurrencë me dy futbollistë të tjerë që luajnë në këtë pozitë, Thomas Delaney dhe Daniel Wass, të cilët duken një hap para për ta rëmbyer vendin në 11-shen startuese pasi kanë përvojë më të madhe me përfaqësuesen e tyre.
“Wass dhe Delaney kanë më shumë ndeshje me përfaqësuesen se sa unë, pra mund ta kuptojë trajnerin nëse ai vendos për lojtarë që njihen më mirë në fushë,” ka thënë Durmishi, transmetojnë mediat daneze.
21 vjeçari Durmishi deri më tani është paraqitur vetëm një herë me përfaqësuesen daneze, dhe atë në miqësoren kundër Malit të Zi duke luajtur për 17 minuta.