MEHMED BAZDAREVIC
Shqipëria fuqi europiane, pas disa vitesh!
28 March, 2017 @10:08
Befason përzgjedhësi i Bosnjes e Hercegovinës, Mehmed Bazdarevic. Ish-reprezentuesi i Jugosllavisë së dikurshme, në konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore me Shqipërinë, ka thënë se kuqezinjtë në vitet e ardhshme do të jenë fuqi futbolli!
“Shqipëria është një vend që investon shumë në futboll. Po ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme dhe brenda pak vitesh do të jetë ndër më të mirat në Europë. Njejtë, mund të them edhe për Bosnjën e Hercegovinën,” ka thënë Bazdarevic në konferencën e tij për shtyp.
Përballja Shqipëri - Bosnje e Hercegovinë ka simbolikë të rëndësishme për mysafirët, pasi që kuqezinjtë kanë qenë ekipi i parë që ka luajtur një ndeshje me Bosnjen pas përundimit të luftës atje.
“Kemi analizuar Shqipërinë, jemi përgatitur, por të mos harrojmë se kjo është ndeshje miqësore. Ajo çka ka ndodhur ndaj Italisë, nuk do të thotë që do të na ndodh edhe neve. Me rëndësi është të luajmë mirë dhe të shohim gjërat që do të mund të na shërbejnë për të ardhmen. Në miqësore, ka gjëra që bien në ujë posa fillon ndeshja,” ka shtuar ndër të tjera Bazdarevic.
Shqipëria - Bosnja është zhvilluar më 30 nëntor 1995, vetëm 9 ditë pas përfundimit të luftës. Kuqezinjtë kishin fituar 2-0 në “Qemal Stafa” atëherë.
Kjo ka qenë edhe fitorja e vetme e kuqezinjëve ndaj Bosnjes. Prej asaj kohe janë zhvilluar edhe tre takime mes skuadrave, ku 2 kanë përfunduar me barazim dhe njëherë ka fituar Bosnja.