FIFA
Shqipëria përparon në renditjen e FIFA-s
3 June, 2016 @1:44
Kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në fillim të Kampionatit Europian, renditja e re e FIFA-s i ka dhënë motiv shtesë kombëtares shqiptare.
Kuqezinjtë kanë përparuar për tre pozita, duke u renditur tani në pozitën e 42-të të renditjes botërore të FIFA-s.
Në këtë përparim ka luajtur rol fitorja me rezultat 3-1 ndaj Katarit në ndeshjen përgatitore që u zhvillua ditë më parë.
Nga kundërshtarët e grupit të Shqipërisë në Europian, më së larti renditet Zvicra (15), por e cila në krahasim me muajin e kaluar ka rënë për një pozitë më poshtë. Në ndjekje të afërt është Franca që gjendet në pozitën 17 dhe përparoi për katër pozita, derisa Rumania bëri hap prapa për tre pozita, për t’u renditur në pozitën 22.
Kundërshtarja që do të jetë në testin e fundit të Shqipërisë para Europianit, Ukraina, ka përparuar për tre pozita dhe renditet në pozitën 19.
Kosova, e cila së fundi është bërë anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA, nuk përfshihet në këtë listë për shkak se ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje që nga pranimi, ndërsa në bazë të rezultatit të ndeshjes miqësore me Ishujt Faroe që do të luhet sot, edhe do ta gjejë veten në renditjen e muajit të ardhshëm të FIFA-s.