Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ZVICËR

Shqiprim Berisha, drejtor i klubit më të suksesshëm në Zvicër

Foto: Blick

Shqiprim Berisha, drejtor i klubit më të suksesshëm në Zvicër


11 April, 2020 @11:59

Përkundër faktit që futbolli po “pushon” momentalisht shkaku i pandemisë corona, shqiptarët e Zvicrës vazhdojnë të jenë të sukesshëm në futbollin e këtij vendi.

Zvicranja “Blick” dje ka shkruar për Shqiprim Berishën, shqiptarin e suksesshëm që tash e tutje do të jetë drejtor i Grasshoppersit, klubit me më së shumti tituj kampioni në Zvicër. Ky klub ka gjithsej 27 tituj kampioni, mirëpo që momentalisht garon në kategorinë e dytë.

Me profesion laborant i kimisë, Berisha 38-vjeçar është pjesë e futbollit në role drejtuese që një kohë të gjatë, ndërsa drejtimin e klubit të Grasshoppersit ai e mori pas raporteve të mira me pronaren e re të klubit, Jenny Wang, e cila kishte punuar me Berishën edhe më herët gjatë karrierës së saj.

Duke qenë një lloj këshilltari i biznesit në futboll, Berisha bëri që klubi i Grasshoppersit të krijojë kontakte me investitorë të ndryshëm, ndërkohë që ky i monitoronte negociatat. Gjatë negociatave, ishte Berisha ai që e bindi investitoren Wang të investojë në klubin e Grasshoppersit, dhe pasi ajo u bind, vendosi që Berishës t’ia ofrojë pozitën e drejtorit të klubit.

“Ne kishim kontakte me investitorët që një kohë të gjatë dhe në fund pronarja e re e klubit, Jenny Wang, pasi vendosi të investojë, ma ofroi mua mundësinë që të jem drejtor i Grasshoppersit dhe unë pranova.

Jam krenar që kam ndikuar që klubi ta ketë këtë pronare, mirëpo e di që na pret shumë punë në të ardhmen. Gjithashtu, jam krenar që punoj në Grasshoppers,” - u shpreh Shqripim “Jimmy” Berisha për Blick.

Më tej, Blick shkruan që Shqiprim Berisha është i afërt edhe me agjentin Jorge Mendes, agjentin e Cristiano Ronaldos dhe shumë yjeve tjerë të futbollit botëror.

“Grasshoppersi, klub nga Zürichu, ka shumë tifozë në Zvicër dhe ne duam t’i rikthejmë kohët e vjetra. Kjo skuadër titullin e fundit e ka fituar në vitin 2003 dhe sukseset e tilla ne duam t’i përsërisim. Klubi ka të ardhme financiare të sigurtë,” - shtoi Berisha.

Sa për kuriozitet, Jenny Wang, pronarja e re e Grasshoppersit, është gruja e pronarit të Wolvesit që garon në Premier League.


 
Të gjitha lajmet nga International