ITALIA - SHQIPËRIA
S’ka pikë në Itali për Shqipërinë
24 March, 2017 @22:45
Shqipëria ka pësuar humbjen e tretë në kualifikimet për Kampionatin Botëror.
Kuqezinjtë u mposhtën në “Renzo Barbera” nga njëra prej kundërshtareve më të forta të grupit, Italia, me rezultat 2-0.
Formacioni startues i Shqipërisë që u caktua nga Gianni De Biasi, paralajmëronte për një lojë defansive dhe me kundërsulme të kuqezinjëve për të arritur deri tek rezultati pozitiv, mirëpo planet e De Biasit u prishën qysh në minutën 11’, kur Migjen Basha shkaktoi penallti, ndërsa penalltinë në gol e shndërroi mesfushori i Romës, Daniele De Rossi.
Ky gol i dha siguri dhe qetësi skuadrës italiane, e cila mundohej ta mbante më shumë topin në këmbë, ndërsa Shqipëria u mundua të rrezikonte kryesisht me depërtimet nga krahu të Odise Roshit.
Italia pati disa raste të rrezikshme, por portieri i ri, Thomas Strakosha, dha siguri në portën e tij.
Në pjesën e dytë, saktësisht në minutën 56’ ndeshja u ndërpre për disa minuta për shkak të ndezjes së flakadanëve nga ana e tifozëve shqiptarë, që krijoi në tym të madh në fushën e stadiumit.
Kjo bëri që gjyqtari kryesor ta merr topin dhe të futet në zhveshtore, ndërsa futbollistët e Shqipërisë u munduan ta qetësojnë situatën duke komunikuar me tifozët në tribuna.
Ndeshja iu rikthye normalitet pas afërsisht 10 minutave, ndërsa në minutën 71’ erdhi edhe goli i dytë për Italinë.
Ishte sulmuesi Ciro Immobile ai i cili shënoi për 2-0, kur pas krosimit nga krahu i djathtë, u tregua i saktë me kokë duke e mposhtur bashkëlojtarin e tij te Lazio, Thomas Strakoshën.
Për të gjetur golin, De Biasi bëri disa ndryshime në formacion duke e futur Armando Sadikun, Eros Grezdën e Liridon Latifin, por as këta ndryshime nuk dhanë rezultat dhe ndeshja përfundoi me fitoren 2-0 të Italisë.