WERDER - WOLFSBURG
S’ka pikë pa Rashicën, Werderi rrezikon edhe më shumë rënien
7 June, 2020 @15:22
Tjetër fundjavë zhgënjyese për Werderin e Bremenit.
Skuadra që dekadën e kaluar përfaqësonte Gjermaninë në garat evropiane, sot bëri edhe një hap drejt rënies në Bundesligën 2.
Werderi, në mungesë të Milot Rashicës, golashënuesit më të mirë të skuadrës sivjet, sot u mposht 0-1 nga Wolfsburgu në një ndeshje që duhej fituar për të shpresuar shpëtimin. Ishte goli i Weghorst në minutën e 82’ ai që ia dha fitoren mysafirëve të Wolfsburgut, të cilët ndeshjen e mbyllën me fitore minimale në terrenin kundërshtar. Kjo ishte humbja e dytë me radhë e Werderit në shtëpi.
Katër xhiro para fundit, Werderi ndodhet gjashtë pikë larg shpëtimit direkt, ndërkohë që mundësi për shpëtim mund të jetë vendi i 16, i cili dërgon në Play Out, mundësia e fundit për shpëtim. Ai vend momentalisht i takon Fortuna Düsseldorfit të Valon Berishës.
Sa i përket Rashicës, lëndimi i tij raportohet të jetë i lehtë dhe me shumë gjasa ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e xhiros së ardhshme që Werderi e luan ndaj Paderbornit, skuadrës së fundit në renditje.