PËRGATITORE
Skënderbeu pëson nga Dinamo Kiev
30 June, 2014 @14:50
Kampionit të Shqipërisë nuk po i shkruhet mirë. Skënderbeu regjistroi humbjen e katërt në pesë miqësoret e fundit të zhvilluara në Austri, ku po qëndron ekipi kampion i Shqipërisë për fazën përgatitore para ndeshjeve kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Përkundër paraqitjes së mirë në pjesë të parë dhe luftës së pashoq, si duket energjia e korçarëve përfundoi në 10 minutëshin e fundit të takimit kur pranuan dy gola për disfatën 4-2, nga kundërshtari i fuqishëm, Dinamo Kiev.
Skënderbeu përkundër se ishte dy herë në disavantazh ka arritur të barazojë në 1-1 dhe 2-2. Por gabimet në mbrojtje janë cilësuar si të pafalshme nga tiranasja Panorama Sport, sot, për lojën e djeshme të ekipit të Mirel Josës.
Duhet theksuar se në këtë miqësore nuk është paraqitu fare lojtari më i mirë i korçarëve, Bledi Shkëmbi, për të cilin trajneri Josa ka menduar se është më mirë të pushojë para ndeshjeve të Ligës së Kampionëve.
Skënderbeu me 15 korrik luan ndeshjen e parë kualifikuese ndaj BATE Borisovit bjellorus dhe atë si mysafir.
Në këtë ndeshje ka luajtur edhe transferi i ri i korçarëve, Kristi Vangjeli, që para kohës së Gianni De Biasit, ka qenë i rregullt në kombëtaren shqiptare.