ALBAN MEHA
Snajperi largohet lavdishëm nga Konya
19 May, 2016 @8:46
Futbollisti i kombëtares shqiptare, Alban Meha, ka përjetuar njërën ndër ditët më emocionale të tij me rast të ndarjes prej ekipit Konyaspor në Superligën turke.
Nën ovacione të mëdha dhe pas fitores 2-1 ndaj kampionit të ri, Besiktas, ekipi i Konyës i ka përgatitur Mehës lamtumirë të veçantë, me ç‘rast ky po merr rrugë drejt Arabisë Saudite për ekipin Al-Nassr.
Statistikat te Konya
Në 24 ndeshjet e zhvilluara gjatë stinorit ai shënoi 4 gola dhe 5 asistime për Konyën, ndërsa “lamtumirë snajper”, pastaj komentet në shqip “mbreti” nuk kanë munguar nga tifozëria e këtij ekipi, pasi që u kumtua lajmi për largimin e Mehës nga Konya.
Ai u thirr në tribuna pasi që u zëvendësua ku nën ovacione u përshëndet nga tifozët e ekipit.
Konya ka siguruar daljen në Europë këtë stinor, duke përfunduar në vend të tretë në Superligën turke, pas Besiktasit kampion dhe Fenerbahçes nënkampione.
Karriera
Mitrovicasi Meha tash 30 vjeçar pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në Bundesliga 2, derisa u fut me Paderbornin në Bundesligë, ku siguroi kalimin te Konya. Ndërsa tash e tutje do të luajë në ligën arabe për Al Nassrin, ka shkruar Futbol Arena e Turqisë sot.
Te kombëtarja
Ai ka pasur edhe 6 paraqitje me kombëtaren shqiptare, ku ka shënuar një gol (në miqësore), ndërsa në kampanjën për EURO 2016 ka luajtur vetëm 7 minuta në 3 ndeshjet që u ftua nga Gianni De Biasi.