ASPIRIN
Talenti zviceran kalon në Leverkusen
13 May, 2014 @12:36
Skuadra e Bayer Leverkusenit ka bërë lëvizjen e parë me të përfunduar stinori 2013/14 i Bundesligës.
Ekipi që siguroi një vend në kualifikime të Ligës së Kampionëve, duke përfunduar në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit të këtij stinori, pas Bayern Munchen, Borussia Dortmund dhe Schalke 04, ka arritur që të shtojë në radhët e veta njërin ndër sulmuesit më të mirë të stinorit - Josip Drmic.
Drmic 21 vjeçar, ka shënuar 17 gola këtë stinor në Bundesligë, duke përfunduar si i treti në listën e golashënuesve më të mirë, pas Robert Leëandoëskit dhe Mario Mandzukicit.
Futbollisti me origjinë kroate, është i lindur dhe i rritur në Zvicër dhe ka marrë ftesën nga përzgjedhësi i përfaqësueses zvicerane Ottmar Hitzfeld për pjesëmarrje në Brazili 2014, përfaqësuese ku bëjnë pjesë edhe 5 futbollistë me origjinë shqiptare.
Përkundër se ekipi i Drmicit, Nurnberg, nuk ka arritur të sigurojë mbijetesën në Bundesligë këtë stinor, cilësia e tij si sulmues nuk ka mbetur jashtë syrit të Hitzfeld dhe ‘Aspirinëve’. Ai kishte arritur në Bundesligë stinorin e kaluar nga ekipi i Zurichut.