5 PËR FUNDJAVË
Të gjitha rrugët shpien në Romë
Shkruan: Luan Morina
7 November, 2015 @8:39
Agimi i ditës së shtunë do të thotë që fundjava erdhi. E tash, pa e zgjatur shumë, shkojmë nëpër Europë për të ngacmuar 5 ndeshjet që pritet të jenë më interesante sot e nesër.
1.Arsenal – Tottenham (e diel, ora 5, pasdite)
Arsenali është mirë. Humbja kundër Bayernit është normale, jo vetëm për ta, por për çdo ekip në botë për momentin. Por, një humbje nga Tottenhami nuk do të ishte normale. Jo për një ekip që aspiron titullin e Premier League. Tottenham ka qenë deri më tani si nën valë, duke lëvizur shtruar dhe ngadalë. Kanë mposhtur City dhe kanë arritur të nxjerrin rezultate pozitive duke mos rënë në sy të tjerëve. Ashtu janë ngjitur aty ku janë tani. Në Emirates do të kenë sfidën e parë të rëndë që nga ndeshja me Cityn. Ndoshta edhe humbjen e parë pas një kohe të gjatë.
2.Roma – Lazio (e diel, ora 3, pasdite)
Ndeshja kryesore e javës. Derbit romakë gjithmonë sjellin lojë interesante me shumë gola të shënuar, ose me shumë kartona të kuq. Duke pasur parasysh formën e fundit të këtyre dy ekipeve –Roma 11 gola me Leverkusen në dy ndeshje, Lazio tre gola të pranuar ndeshjen e fundit në Serie A, vetëm një gjë pritet – shumë gola. Roma është për titull këtë vit në Serie A. Ndoshta kjo fitore kundër Lazios do të ishte ndër momentet më të mira në festën e titullit. Çdo rezultat tjetër dëshmon të kundërtën për Romën dhe Rudi Garcian.
3.Dortmund – Schalke (e diel, ora 3e30, pasdite)
Misioni i Dortmundit në Bundesligë këtë vit është i qartë – të jetë Bayerni i dytë. Dhe për momentin po ia del të mbaj një distancë nga vendi i tretë, kjo falë kontinuitetit të rezultateve pozitive. Përpos kontinuitetit, për të dëshmuar superioritetin ndaj skuadrave tjera duhet të mposht edhe ato që konkurrojnë direkt për këtë pozitë - të dytën. Schalke është njëra nga to. Për dallim nga Dortmundi, Schalke nuk ka një trajner lider që të zhvillonte talentin që kanë. Në sulm janë keq të ndërtuar me Di Santon dhe Huntelaarin që ka nisur të plaket. Ndërkohë Dortmundi sulmin e ka armën më të fortë. Një ndeshje e hapur, me futboll të kënaqshëm për sy sdo të duhej të mungonte të dielën pasdite.
4.Barcelona – Villarreal (e diel, ora 4, pasdite)
Messi kush? Barcelona nuk e ka vërejtur aspak mungesën e Messit gjatë javëve të kaluara, ndoshta edhe për shkak të kundërshtarëve jo të denjë. Pos, Eibar, të gjithë kundërshtarët e fundit kanë qenë ekipe minimaliste në krahasim me Barcën. Villarreali po kalon një sezon më të mirë, por me katalunasit ska histori të mirë. Gjashtë ndeshjet e fundit, të gjitha kanë qenë të humbura nga nëndetësja e verdhë. Edhe kësaj radhe, nëse arrijnë të mos pësojnë tre gola do të jetë sukses. Fitorja është e pamundur, por do të ishte e mirëseardhur për kampionatin spanjoll.
5.Sevilla – Real Madrid (e diel, ora 8e30, mbrëmje)
Edhe Celta me Valencian është ndeshje interesante. Por, Sevilla dhe Reali kanë histori më të rëndë mbi supe dhe duhet të ofrojnë futboll më të mirë. Për dallim nga Villarreali, Sevilla e ka një fitore pranverën e kaluar. Përsëritja e atij suksesi është e pamundur për shkak të formës që ka treguar këtë sezon në ligë. Reali ka mungesa, dhe problemet e fundit me Benzeman mund të shkaktojnë shqetësime, por jo aq të mëdha sa të humbin këtë ndeshje. Fitore e Realit me shumë gola do të kishte qenë pritje normale sikur Benitez mos të kishte qenë trajner.