EGE KUPA 2017
Të rinjtë e Kosovës mposhten nga Turqia
16 January, 2017 @19:40
Përfaqësuesja e Kosovës U-17 e ka zhvilluar sot ndeshjen e parë në kuadër të turneut “Mercedes Benz Aegean Cup”, që po zhvillohet në afërsi të Izmirit në Turqi. Të përzgjedhurit e Besnik Kollarit kanë pësuar humbje në duel me Turqinë, me shifrat 0:4, ndonëse ky rezultat nuk është pasqyrë reale e asaj çfarë skuadrat treguan në fushë.
Në fakt, Kosova e nisi mjaft mirë ndeshjen dhe nuk u lejoi turqve të krijonin aksione. Madje, mundësinë e parë e patën futbollistët tanë në minutën e 5-të nëpërmjet një kundërsulmi, kur Edin Huseini e shërbeu në krahun e djathë Bajrush Osmanin, por ky nuk arriti të gjuajë në portë.
Ndërkohë, dy minuta më vonë Turqia kaloi në epërsi, me golin e Ali Yavuz Kol, i cili përfitoi një top të larguar jo mirë nga mbrojtja. Në vazhdim loja ishte e baraspeshuar, ku loja e futbollistëve tanë ishte stabile deri në minutën e 40-të (të fundit të pjesës së parë), kur Mustafa Kaya dërgoi një top jo të rrezikshëm drejt portës, por që u devijua paqëllimshëm nga mbrojtësi Leard Sadriu dhe përfundoi në rrjetën e Kuqukut.
Paraprakisht Kosova e pati një rast të mirë shënimi, por gjuajtja e Adonis Aliut nga krahu i djathtë shkoi përskaj portës. Në pjesën e dytë Kosova pësoi dy gola të shpejtë. Fillimisht Atakan Gunduz në minutën e 44-të përfitoi nga tollovia në mbrojtje për 3:0, derisa tre minuta më vonë, Oguzhan Akgun shënoi me një gjuajtje të fortë nga distanca për 4:0.
Në vazhdim përzgjedhësi Kollari bëri disa ndryshime në përbërje me qëllim të freskimit të lojës dhe si rrjedhojë edhe u krijuan disa mundësi të mira shënimi. Në minutën e 62-të Albin Prapashtica depërtoi bukur në zonë dhe u faulua duke përfituar penallti. Mirëpo, gjuajtjen nga pika e bardhë të Altin Lutollit portieri turk Arda Akbulut arriti ta dëbojë.
Një tjetër mundësi të mirë për të shënuar Kosova e pati nëpërmjet Qëndrim Zybës, kur depërtoi mjaft mirë në mbrojtjen kundërshtare, por sërish portieri Akbulut nuk lejoi që topi të shkojë në rrjetën e tij. Nesër Kosova do të luajë kundër Greqisë në ndeshjen “Fair Play”, derisa ndeshjen e radhës për pikë në kuadër të Grupit A e zhvillon kundër Sllovakisë, më 19 janar.
FORMACIONET:
Turqia-Kosova 4:0 Stadiumi “Altinordu Metin Oktay Tesisleri” Gjyqtarë: Eren Ozyemisciuoglu |
Turqia: Arda Akbulut, Batuhan Ekinci, Ozgur Ortaç, Atakan Gunduz, Yaser Yuce, Serkan Bakan, Ali Yavuz Kol, Firat Gullu, Oguzhan Akgun, Yusuf Can Esendemir, Mustafa Kaya. Luajtën edhe: Ridvan Yilmaz, Abulkadir Çelik, Bora Ulu, Semih Yilduz, Mustafa Kapi, Kerem Kalafat | Kosova: Shaban Kuquku, Adonis Sopa, Leard Sadriu, Besnik Koci, Gent Musa, Altin Lutolli, Dardan Shabanhaxhaj, Bajrush Osmani, Adonis Aliu, Edin Huseini, Valon Zumberi. Luajtën edhe: Qëndrim Zyba, Albin Prapashtica, Edonis Demolli, Deniz Sadiku, Armend Gashi, Gentrit Ulluri. |