DUELET E SHTATORIT

Telashe me stadium, Shqipëria si vendase nuk luan në “Air Albania”
19 August, 2021 @17:34
Shqipëria në shtator do t’i ketë 3 ndeshje kualifikuese për në Botërorin Katar 2022. Derisa e para, ndaj Polonisë më 2 shtator luhet si mysafir, dy të tjerat kuqezinjtë do t’i zhvillojnë si vendas.
Mirëpo, jo siç është pritur në stadiumin e ri “Air Albania”. Këtë njoftim e ka lëshuar pak më parë FSHF, pasi që telashet me barin e stadiumit nuk po përfundojnë dhe stadiumi në fjalë nuk do të jetë i gatshëm për ndeshje as për datat e ndeshjeve ndaj Hungarisë dhe San Marinos si vendase.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELAT AKTUALE
Prandaj, FSHF ka bërë të ditur se të dyja ndeshjet si vendas, kuqezinjtë do t’i zhvillojnë në “Elbasan Arena” të Elbasanit, ku më 5 shtator presin Hungarinë, ndërsa më 8 shtator San Marinon.
“Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy ndeshjet brenda do të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena”, në ndryshim nga ndeshja me Anglinë e muajit mars që u luajt në stadiumin “Air Albania”. Shkak i këtij spostimi të paparashikuar është investimi për rinovimin e fushës. Investimi parashikon një tapet të ri hibrid, i cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, që pritet të jetë gati në mesin e muajin e shtator,” ka shkruar njoftimi i FSHF-së ndër të tjera.