ARSIM THAQI
Thaqi: Fituesi s’do të dihet deri në fund
6 July, 2017 @9:08
Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi, në konferencën e djeshme për shtyp para ndeshjes së kthimit ndaj Norrkopingut ka bërë të ditur se ekipi i tij do të luftojë për rezultat, pa marrë parasysh rezultatin e ndeshjes së parë.
“Jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit, sikurse që ishim edhe atje. Nëse arrijmë t’i përmirësojmë gabimet e repartit defanziv, atëherë kishim qenë të kënaqur,” ka thënë Thaqi.
Sa i përket lojtarëve që do t’i shfrytëzojë në këtë ndeshje, ai ka thënë se është i interesuar t’ua jap rastin lojtarëve të ri të ardhur në ekip.
“I interesuar jam që t’ia jap mundësinë lojtarëve të ri të ardhur në ekip. Me rëndësi është të shohim se si po funksionojmë në një ndeshje të fortë. Diar Miftaraj, si shembull, që në ndeshjen e kaluar ka dhënë sinjale se do të jetë startues në këtë ndeshje, e ka merituar,” ka shtuar Thaqi.
Ndërsa sa i përket rezultatit përfundimtar vetëm për ndeshjen e sontme, që nis në ora 20:00, trajneri i bardhekaltërve ka thënë se deri në fund të ndeshjes nuk do të dihet fituesi.
Prishtina do të luajë si vendas në Adem Jashari të Mitrovicës, ndërsa duelin e parë e fitoi Norrkoping thellë, 5-0. Mundësitë për kualifikim të Prishtinës janë tejet të vështira, por ekipi ka vendosur që së paku para tifozëve të saj, që pritet të mbushin stadiumin sot, të dalë me një rezultat pozitiv.