MBROJTËSI
Tirana, opcion për Currin
7 July, 2014 @13:34
Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Debatik Curri, do të mund të përfundojë te Tirana në stinorin që po vjen.
Sipas njoftimeve të dhëna në tiranasen, Panorama Sport, ish lojtari i Prishtinës, ka shumë gjasa të dakordohet me klubin bardhekaltër nga kryeqyteti shqiptar, nëse nuk arrin një marrëveshje me një ekip të Azerbejxhanit.
Rroga e garantuar
Burimet e kësaj gazete bëjnë të ditur se ish donatori i ekipit të Tiranës, Refik Halili, i cili pritet të marrë përsëri drejtimin e klubit i ka ofruar Currit 10 mijë euro në muaj neto.
Curri që thuhet do të merr edhe 30 mijë euro si parapagim për të veshur fanellën e Tiranës, më parë ka djersitur fanellat e ekipeve në liga të ndryshme si: Vorskla Poltava në Ukrainë, Gençlerbirligi në Turqi, Hoverla dhe Sevastopol përsëri në Ukrainë, derisa karrierën e kishte nisur në Prishtinë.
Opcioni
Në fund, gazeta konkludon se opcioni më i besueshëm për Currin do të jetë që nëse mbetet pa angazhman jashtë vendit, ai do të përfundojë në skuadrën tiranase.
Debatiku me 30 vjetët e tij ka 39 paraqitje për kombëtaren kuqezi dhe ka një gol të shënuar dhe atë gjatë kualifikimeve për Kampionatin Europian, Austria dhe Zvicra 2008.