ARBNOR MORINA - PAS NDESHJES
Titulli përcaktohet në fund
13 March, 2016 @17:08
I gëzuar me fitoren e arritur ndaj Ferronikelit, Arbnor Morina ka preferuar që të flasë më shumë në përgjithësi për futbollin në përgjithësi sesa në veçanti për ndeshjen.
“Ka qenë ndeshje shumë e vështirë, në një fushë të rënduar për lojë,” ka thënë fillimisht Morina.
“Mirëpo, më pengojnë disa dashamirë të futbollit që po flasin vetëm ‘zi’ për futbollin kosovar. Sot ekipet kanë treguar se janë të gatshme për 90 minuta lojë, kanë qenë dy ekipe të fuqishme në ndeshje, ka pasur lojtarë cilësorë në takim, ka pas taktizime interesante gjatë ndeshjes. Mendoj që kjo është hijeshia e gjithë asaj që quhet futboll,” ka thënë Morina pas ndeshjes.
Sa i përket luftës për titull ai ka thënë se do të jetë sikurse në stinorin e kaluar, kur ekipet do të luftojnë deri në xhiron e fundit për titull.
“Njejtë sikurse vitin e kaluar. Ekipet do të luftojnë deri në fund për titull. Deri 3-4 xhiro para përfundimit të stinorit të kaluar ne dhe Prishtina ndjeknim Ferronikelin në krye, ndërsa në fund mbetëm ne e Ferronikeli, ku këta të fundit në xhiron e fundit siguruan titullin. Kjo është pasuria e futbollit të Kosovës,” ka thënë Morina.
Besa është aktualisht e pesta në klasifikim me vetëm 5 pikë afër kreut.