DUELET FINALE
Tottenham ‘në gjah’ kundër Leicesterit
19 April, 2016 @12:52
“Asnjëherë një ekip kaq bindshëm nuk ka luajtur si mysafir në vitet e fundit të Premier Ligës,” - kanë qenë komentet e mediave angleze pas fitores së Tottenham Hotspurs mbrëmë ndaj Stoke Cityt në “Britannia Stadium” me rezultat 0-4.
Harry Kane me shokë kanë kërcënuar kësaj radhe seriozisht Leicesterin kryesues, duke iu afruar në 5 pikë. 22 vjeçari Kane ka shënuar tashmë 24 gola këtë stinor në Premier Ligë, ndërsa pas ndeshjes ka thënë se ekipi i tij mund të bëj ëndrrën realitet.
“Nëse vazhdojmë me këtë lojë, nuk ka shumë ekipe që do të mund të na mposhtin në Premier Ligë,” ka thënë Kane, shkruan BBC Sport sot.
Ndërkaq trajneri argjentinas i ekipit nga “White Hart Lane” ka thënë se ëndrra realizohet duke mos u dorëzuar përkundër epërsisë së liderit.
TABELA AKTUALE E PREMIER LEAGUE
“Kjo është ëndrra jonë, të fitojmë titullin. Gjithmonë duhet të luftosh. Asnjëherë nuk bën të dorëzohesh,” është cituar Mauricio Pochettino, trajner i ekipit të Londrës.
Tottenham ka shënuar mbrëmë fitoren e 10 në 13 ndeshjet e fundit në Premier Ligë. Harry Kane është lider i golashënuesve në Premier Ligë, kurse Tottenham është ekipi me më së shumti gola të shënuara si dhe me më së paku gola të pranuara këtë stinor.
Leicester City lider, që gjithashtu është duke përjetuar stinorin e ëndrrave, nuk do të mund të llogaris në shërbimet e sulmuesit kryesor të skuadrës në së paku ndeshjen e radhës, pasi që Jamie Vardy u ndëshkua me karton të kuq në xhiron që e lamë pas.
Në ndeshjet e mbetura Tottenham do të pret WBA-në, para se të luaj si mysafir ndaj Chelseat, pastaj pret Southamptonin, për t’i shkuar mysafir Newcastle Unitedit në xhiron e fundit.
E Leicester pret Swansean, udhëton te Manchester United, pret Evertonin dhe përfundon stinorin si mysafir i Chelseat.