FERNANDO SANTOS
Trajneri i Greqisë merr timonin portugez
23 September, 2014 @13:37
Fernando Santos, trajneri i deritashëm i Greqisë, ka marrë drejtimin e përfaqësueses portugeze, që pas poshtërimit nga Shqipëria, mbeti pa trajner.
Santos 59 vjeçar ka përvojë të madhe në punën e tij, derisa ka kaluar të tre ekipet me emër të këtij vendi, kur ka trajnuar Benficën, Porton dhe Sportingun e Lisbonës.
Që nga viti 2010 ai ka qenë trajner i Greqisë, pas një karriere të mirë në ekipet greke si AEK, Panathinaikos dhe PAOK.
Portugezi në fjalë ka arritur që të dërgojë Greqinë në EURO 2012, por edhe në Brazili 2014.
Portugalia bën pjesë në Grupin I kualifikues për EURO 2016, derisa pas disfatës nga Shqipëria, ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj Danimarkës si mysafire.
Disfata nga Shqipëria, e para në histori të futbollit portugez, është cilësuar si më e rënda në histori - që ka detyruar trajnerin Paulo Bento, të largohet nga detyra.
Përkundër disfatës nga kuqezinjtë, Portugalia ende llogaritet si favorit i grupit për kualifikim në EURO 2016 që mbahet në Francë.