KUQEZINJTË
Shqiponja merr formë në Elbasan Arena
22 September, 2014 @22:11
Simboli që i bashkon të gjithë shqiptarët, Shqiponja me dy krena, po merr formën e saj përfundimtare në stadiumin e ri që po ndërtohet enkas për ndeshjet e kombëtares.
Ulëset e kuqe, në të zeza, ku po merr formë shqiponja ka filluar të duket në punimet përfundimtare të stadiumit Elbasan Arena në qytetin e Shqipërisë së Mesme.
Nga burimet e stadiumit, mëson Panorama Sport, të gjitha ulëset e stadiumit do të jenë të kuqe, derisa pjesa ballore, ku shihet shqiponja (pa kokë), do të ketë ulëset e zeza që i japin formën përfundimtare ish Ruzhdi Bizhutës, tani Elbasan Arenës.
Sa i përket barit të stadiumit, ai në disa vende duket i tharë, i zverdhur, mirëpo punonjësit që po merren me ndërtimin e shtëpisë së re të kuqezinjëve, pritet që në ditët në vijim të hedhin farën e re për tu dukur gjithçka e gjelbër.
Puna për ndërtimin e stadiumit ka filluar më 17 shkurt dhe pritet që të përfundojë në javën e parë të tetorit, derisa Shqipëria pret Danimarkën më 11 tetor, pas fitores madhore ndaj Portugalisë në fillim të këtij muaji.
FAKTE:
ASHENSORI VIP: Për mysafirët e rëndësishëm të ndeshjeve të kombëtares është vënë në funksion edhe lifti/ashensori që do të bart shpejtë ata prej ulëseve të stadiumit në dalje dhe anasjelltas. | CAFE-BAR: Për të pranishmit në stadium janë menduar edhe Cafe-Bar'et që do të vendosen në pjesë të ndryshme të stadiumit me çasje të shpejtë për publikun. Mirëpo, mobilimi i tyre ende është në kërkim e sipër, prandaj ato mund të mos jenë të gatshme për ndeshjen e parë të kuqezinjëve në Elbasan Arena, ndaj Danimarkës. | KAPACITETI: Kapaciteti i stadiumit Elbasan Arena pritet të kalojë numrin e 15 mijë ulëseve, derisa para renovimit stadiumi me emrin e dikurshëm Ruzhdi Bizhuta ka numëruar 12 mijë e 342 ulëse. | DEBUTIMI: Kombëtarja shqiptare për herë të parë do të zhvillojë një ndeshje në Elbasan, derisa në dekadën e fundit Qemal Stafa e Tiranës ka qenë e pakontestueshme, përveç disa rasteve kur kuqezinjtë zhvilluan ndeshje edhe në Shkodër e Durrës. |