MESFUSHORI I KTHEHET KLUBIT TË ZEMRËS

Foto: FCPrishtina/ fb
Transfer me kusht, Rilind Nimani kalon te Prishtina
10 July, 2023 @14:59
Para pak çastesh, Prishtina ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me kusht me Trepçën’89 për të marrë mesfushorin e dalluar të saj, Rilind Nimani.
Mesfushori qendror 23-vjeçar Nimani është zyrtarizuar te ekipi bardhekaltër nga kryeqyteti në prani të drejtorit Driton Krasniqi, ndërsa kushti i marrëveshjes me Trepçën’89 që ka rënë në Ligë të Parë është që në rast se ekipit i vjen një ofertë jashtë Kosovës për lojtarin, atëherë futbollisti do të jetë i lirë.
“Prishtina dhe Trepça ’89 janë akorduar për transferimin me kusht të mesfushorit, Rilind Nimani i cili ishte nën kontratë edhe për dy vitet e ardhshme me Trepçën ’89. Klubi mitrovicas dhe bardhekaltrit arritën pajtim që në rast të ofertës nga jashtë vendi deri më 1 shtator, atëherë futbollisti do të jetë i lirë.” — ka bërë të ditur FC Prishtina, duke i uruar mirë se ardhje lojtarit.
Nimani ka nënshkruar kontratë për dy vitet e ardhshme me Prishtinën, ndërsa në deklratën e parë të tij si lojtar i kryeqytetasve ka thënë se i është kthyer klubit të zemrës.
“Unë në të vërtet jam i lindur dhe jam nga Prishtina, por nga forma se si jam mirëpritur dhe si kam kaluar në Mitrovicë, shumëkush ka menduar që jam nga andej, por në fakt po kthehem në ekipin e klubit të zemrës. Është nder për mua dhe krenari që do të përfaqësojë qytetin tim, vendim ku kam lindur dhe ku jam rritur. Kam emocion të veçantë, sepse unë si fëmijë, me ëndje, së bashku me shokët e mi, kam qenë pjesë e publikut nga shkallët e stadiumit duke përkrahur Prishtinën. Dhe, e kam pasur ëndërr që këtë emocion ta kem edhe si futbollist, për ta ndihmuar skuadrën drejt objektivave”. — ka thënë 23-vjeçari.◼️