Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VENDOS KOMISIONI

Trepça’89 kualifikohet pas ankesës! Feronikeli’74 eliminohet nga Kupa

Trepça’89 kualifikohet pas ankesës! Feronikeli’74 eliminohet nga Kupa


15 February, 2023 @11:56

Ankesa e Trepçës’89 ka dalë të jetë plotësisht e bazuar, ndërsa KG i ka dhënë fitoren asaj në duelin e së tetës së Kupës së Kosovës për ta eliminuar Feronikelin’74 që kishte fituar në fushë 1-0!

Ekipi nga Drenasi i drejtuar nga Granit Begolli ka futur në ndeshje gjashtë lojtarë që nuk janë regjistruar në Federatë konform rregullores për regjistrim, ndërsa ankesa e Trepçës’89 ishte e bazuar dhe kështu mitrovicasit e drejtuar nga Shpëtim Idrizi shkojnë në çerekfinale të garave të Kupës.

Armend Blakqori, Donat Hasani, Fitim Susuri, Adem Maliqi, Endrit Baholli dhe Shpresim Zogu - janë gjashtë lojtarët të cilët Feronikeli’74 i kishte përdorë, derisa asnjëri nga ata nuk ishin regjistruar siç kërkohet.

“Miratohet si e bazuar – Ankesa e Klubit të Futbollit “Trepça ’89 nga Mitrovica dhe ndeshja e 1/8 të Kupës së Republikës së Kosovës ndërmjet KF Feronikeli ‘74 – KF Trepça ’89, e përfunduar me rezultat 1:0 për KF Feronikeli ‘74, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Trepça ‘89 nga Mitrovica,” ka shkruar në Vendimin e KG-së.

Ndërsa në arsyetimin e KG-së është shënuar (po e sjellim pa ndërhyrje):

Komisioni i Garave në seancë e vet të mbajtur me datë 08.02.2023, regjistroi ndeshjet e 1/8 të Kupës së Republikës së Kosovës me rezultat të arritura në fushë , përveç ndeshjes së zhvilluar në Drenas ndërmjet KF Feronikeli ‘74 dhe KF Trepça ‘89 për shkak se KF Trepça ‘89 ka ushtruar ankesë, përkitazi me parregullësinë e paraqitjes së disa lojtarëve në këtë ndeshje nga ana e KF Feronikeli ‘74, konkretisht: Se, KF Feronikeli ‘74 ka aktivizuar në lojë (6) gjashtë lojtarë që nuk janë të regjistruar konform rregullores për regjistrimin, statusin dhe transferimin e lojtarëve dhe atë:

1. Armend Blakqorri ,nr.001764M90, nr. fanelle 12
2. Donat Hasani , nr. 000933M , nr. fanelle 99
3. Fitim Susuri , nr. 000506M99 , nr. fanelle 10
4. Adem Maliqi nr.002199M97 , nr. fanelle 14.
5. Endrit Baholli , nr. 002035M00, nr. fanelle 30
6. Shpresim Zogu , nr.002282M99, nr. fanelle 17

Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se: Për Komisionin e Garave sipas nenit 71 Paragrafi 1 të Regullores së Garave janë përmbushur të gjitha kushtet për administrim dhe vendimmarrje lidhur me ankesën.

Se, sipas protokollit zyrtar, lojtarët e sipërshënuar kanë qenë të shënuar në protokolin zyrtar dhe të aktivizuar në këtë ndeshje, kështu që kanë bërë shkelje të Nenit 26 pika 1 të Rregullores për regjistrimin, statusin dhe transferimin e lojtarëve, nenit 29 të Propozicionene të Garave, nenit 77, Paragrafi 1 dhe 2 të Rregullores së Garave, si dhe nenin 58 të Rregullores Disiplinore, Paragrafi 1, nën b. Lojtari është paraqitur në mënyrë të parregullt nëse ka luajtur për klubin për të cilin nuk është i regjistruar. Të gjitha këto theksime u vërtetuan dhe u konfirmuan nga Komisioni i FFK-së, për statusin e lojtarëve në FIFA- Conect – dhe deri më datë 04.02.2023 kur është zhvilluar ndeshja , nuk ka njoftim – publikim zyrtar për regjistrimin e këtyre lojtarëve, prandaj , ankesa e KF.- Trepca-89 miratohet si e bazuar dhe ndeshja KF Feronikeli ‘74 – KF Trepça ‘89 e përfunduar me rezultat në fushë 1:0 për Feronikelin ‘74, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Trepça ‘89.

Me këtë vendim, Trepça’89 shkon në çerekfinale të Kupës së Kosovës, ndërsa bashkë me shtatë skuadrat tjera mbetet në garë për trofe. Skuadrat tjera që kanë siguruar çerekfinalen janë: Prishtina, Llapi, Behari, Vushtrria, Gjilani, Ballkani dhe Malisheva.


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës