MEDIA

REUTERS/Arkiv
UEFA do të dënojë Serbinë dhe Kroacinë
12 April, 2015 @8:52
Dënimi i UEFA-së që ia shqiptoi Kroacisë së fundi në gara kualifikuese për EURO 2016, ka bërë që vendet e ish Jugosllavisë, por edhe të tërë rajonit të Ballkanit të mendojnë mirë para se të marrin organizimin e një ndeshjeje futbolli.
Rreziku qëndron në faktin se sipas një miku të ngushtë të Michel Platini-së, UEFA-ja do të sundojë me dorë të hekurt në këtë rajon, derisa të shkulen nga rrënjët e tyre: huliganizmi, piroteknika, fyerjet raciste dhe sjelljet tjera të tifozërive në këto anë.
Curkovic ka informata për suspendime të ashpra
Në një artikull të botuar sot në të përditshmen zagrebase Jutarjni List, Ivan Curkovic, mik i ngushtë i Platini-së, ka bërë të ditur se i gjithë rajoni duhet të qetësohet, ose do të pasojnë ndëshkimet e rënda.
“Ndoshta kroatëve u është dukur qetë në Maksimir në ndeshje me Norvegjinë, por për UEFA-në kjo ka qenë shumë e zhurmshme!” - shkruan ndër të tjera gazeta në fjalë sot.
“UEFA ka dosje të trasha për Kroacinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Nga vendet e Ballkanit, vetëm Sllovenia nuk është në këtë listë të zezë, sepse atyre futbolli edhe fortë nuk i intereson, derisa Maqedonia aktualisht është vend pa interes në futbollin europian,” ka thënë Curkovic për gazetën në fjalë.
Për më tepër ish reprezentuesi i Jugosllavisë, Curkovic, ka bërë të ditur se Kroacia dhe Serbia mund të përjashtohen për 3 deri në 5 vjet nga të gjitha garat e UEFA-së.
“UEFA ka nisur që të disciplinojë Ballkanin. Kanë vendosur që të luftojnë deri në fund piroteknikën, racizmin dhe gjëra të tilla, që sipas tyre janë armiqtë kryesorë të futbollit të sotëm. Mos harroni, futbolli i sjell miliarda euro përfitime gjithandej Europës dhe UEFA-së, e disa zyrtarë atje nuk do të tolerojnë që çmendurinat e një rajoni t’ua prishin biznesin. Kam informata të sigurta se edhe Kroacia, por edhe Serbia, janë afër përjashtimit nga garat e UEFA-së dhe FIFA-së. Dhe atë, prej 3 deri në 5 vjet…” ka bërë të ditur ky njeri, transmeton Jutarnji.
Racizmi në akcion
Kroacia është dënuar me një ndeshje pa tifozë si vendas dhe 50 mijë euro gjobë për shkak të hudhjes së dy mjeteve plasëse në fushë gjatë ndeshjes Kroaci-Norvegji dhe këndimit të himnit nacionalist kroat, shto këtu edhe fyerje raciste.
Mali i Zi ka humbur ndeshjen 3-0 në tavolinë ndaj Rusisë për shkak të trazirave që çuan në ndërprerjen e ndeshjes ndaj Rusisë. Së pari një fishekzjarr qëlloi portierin rus Igor Akinfeev në qafë (u dërgua në spital dhe ndeshja vazhdoi), ndërsa në pjesë të dytë trazirat morrën hov dhe u ndërpre tërësisht nga referi.
Serbia ka shpëtuar më së miri. Përkundër incidentit monstruoz në ndeshje ndaj Shqipërisë, atyre iu dha fitorja 3-0, por iu morrën tre pikë të fitores. Serbia gjithashtu dy ndeshje si vendas duhet t’i zhvillojë pa prani të tifozëve, derisa Shqipëria ka shkuar për drejtësi në CAS (Gjyqi Arbitrat Sportiv), vendimi i së cilës pritet të dalë në pah në javët e ardhshme.