MEDIA
UEFA harron!
Editorial
16 October, 2014 @12:58
Federata e Futbollit të Shqipërisë duhet të reagojë ashpër dhe të jep fakte me kilogramë - pas asaj poshtërsie që ndodhi në Beograd të martën, nga organizatori i ndeshjes.
Në komunikatën e saj të botuar, FSHF, thotë se nuk kishte kushte për të vazhduar lojën për shkak se lojtarët ishin të rrahur dhe të lënduar - por kjo do të duhet të faktohet.
Një copë betoni e hudhur te delegacioni shqiptar në stadium, pastaj gurëzit që përmenden nga FSHF-ja që kanë goditur xhamat e autobusit duhet që së paku të fotografohen - dhe të dërgohen drejt shtëpisë së futbollit europian, që gjithnjë e më shumë po tregon anim ndaj kundërshtarit të së martës në fushë.
1. - Bërtimat në kor “Vrani shqiptarët” - nuk është gjë tjetër, përpos thirrje raciste.
2. - 32 mijë fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar - nuk janë gjë tjetër, pos fyerje ndaj shtetit.
3. - Hyrja e Ultrasit të dënuar serb në fushë - nuk është gjë tjetër, përpos shkelje e rregullave të UEFA-së, pasi që i njejti pas burgosjes nuk ka të drejtë të futet në stadium, e le më në fushë të lojës.
4. - Flamuri shqiptar zyrtar, që qëndronte lart në stadium, sipas rregullave të UEFA-së, nuk shihej pasi që serbët e kishin futur atë në prapavijë të mbajtëseve ku ishin të lidhur, derisa flamuri serb dhe ato të UEFA-së shiheshin qartë.
Të gjitha këto, pa i përmendur ato që shihen në fotografi dhe inçizme të agjencioneve të ndryshme. Nisjani punës. Ngase UEFA-ja këto nuk i ka përfshirë në hetim prej të cilit pritet të dalin akuzat dhe vendimet për fatin e lojës, që pritet të jetë esencial në renditjen e Grupit I kualifikues dhe fatin e kuqezinjëve për kualifikim historik në EURO 2016.
Dy nga akuzat për Shqipërinë: Moskthimi në lojë i skuadrës dhe banderola me mesazh provokues - gjithashtu duhet të faktohen dhe të kundërargumentohen ashpër.
Një fotografi e Ermir Lenjanit me të gërvishtura dhe me gjak dhe një krahasim bashkë me foton e tij - dhe një deklaratë - se cili nga serbët në fushë apo kushdo qoftë nga bota e futbollit do të kishte luajtur në këtë gjendje,
Dhe, sa i përket banderolës me mesazh provokues për serbët… Në stadium nuk kanë qenë të lejuar tifozët shqiptarë dhe siguria e ndeshjes është përgjegjësi ekskluzive e organizatorit. Tung!
Çdo vendim, përveç 3-0 rezultat zyrtar për Shqipërinë dhe 3 pikë në tabelë të Grupit I kualifikues - do të duhej të refuzohej kategorikisht nga FSHF-ja, përndryshe, dorëheqje të gjithë që rrini aty.
Kaq.