ARSYETIMI

UEFA i arsyetohet FSS-së, por jo edhe FSHF-së
5 November, 2014 @15:45
Ndeshja e përfolur botërisht ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, që pa të paparën në fusha të futbollit - morri fund më një vendim gjithashtu të paparë nga UEFA.
Sidoqoftë, derisa të dyja Federatat po përgatisin ankesa ndaj UEFA-së, ajo e Shqipërisë ende nuk ka marrë njoftimin zyrtar nga UEFA-ja pse është dënuar me disfatë zyrtare 3-0 dhe 100 mijë euro gjobë.
E serbët kanë pranuar arsyetimin e UEFA-së, ku shpjegohen dënimet.
“Tre pikë i janë marrë Serbisë për shkak të hyrjes së tifozëve në fushë, piroteknikës së hedhur, goditje me karrikë e kundërshtarit dhe futja e Ivan Bogdanovit në terren që është i suspenduar për 5 vjet nga fushat e futbollit,” kanë bërë të ditur mediat serbe duke cituar Sekretarin Gjeneral të FSS-së, Nebojsa Ivkovic.
Serbia ka pesë ditë kohë për t’iu ankuar UEFA-së.
Në anën tjetër, Federata shqiptare ende nuk ka bërë të ditur nëse ka pranuar apo jo arsyetimin e UEFA-së, derisa mediat sportive nga Shqipëria njoftojnë se FSHF nuk i din arsyet pse UEFA-ja ka vonuar përgjigjen ndaj kuqezinjëve.