SUNDERLAND - UNITED

United i rikthehet fitoreve, Sunderlandi fundoset
9 April, 2017 @16:24
Pas dy barazimeve radhazi në shtëpi, Manchester United i është rikthyer fitoreve në takimin e luajtur ndaj Sunderlandit, fitore kjo e cila bën që United tashmë të ketë 21 ndeshje radhazi pa humbje në Premier League.
Epërsia e United erdhi nga goli i Zlatan Ibrahimovic, kurse gjithçka u bë më e lehtë në fundin e pjesës së parë pas përjashtimit të suedezit Larsson nga skuadra e vendasve. Ky inferioritet numerik i lojtarëve në fushë bëri që Sunderlandi i Moyesit të jetë i pafuqishëm për ta barazuar rezultatin, e në anën tjetër United shënoi edhe 2 herë përmes Mkhitaryanit e Rashfordit për rezultatin përfundimtar 0-3.
Kjo fitore e ngrit skuadrën e drejtuar nga Jose Mourinho në vendin e pestë të paktën përkohësisht, ndërsa Sunderland me shumë gjasa vitin tjetër do të luaj në Championship.