KRIZA FINANCIARE
Vëllaznimi-Prishtina, anulohet! Prishtina kualifikohet
15 November, 2022 @15:17
Skuadra e Prishtinës ka kaluar pa lojë në të tetën e finales së Kupës së Kosovës, pasi që përballja e tyre ndaj Vëllaznimit që ishte paraparë të luhet të enjten, nuk do të zhvillohet.
Njoftimin e ka bërë FC Prishtina para pak çastesh, ndërsa ka bërë të ditur se KF Vëllaznimi ka kërkuar anulimin e duelit, pasi që klubi gjakovar është në gjendje shumë të rëndë financiare.
“Sfida Vëllaznimi – Prishtina e paraparë që të zhvillohet të enjten nga ora 12:00 në Gjakovë në kuadër të Kupës së Kosovës për fazën 1/16 së finales, është anuluar. Anulimi ka ardhur me kërkesë të klubit nga Gjakova me arsyetimin se ekipi ndodhet në gjendje jo të mirë financiare. Prishtina mbetet me shpresë se klubi “kuqezi” do t’i tejkalojë këto sfida dhe të organizohet pasi futbollit të Kosovës i duhen klubet me traditë siç është Vëllaznimi. Skuadra jonë pas vendimit për anulimin e ndeshjes, kalon në 1/8 e finales automatikisht. Vëllaznimi ishte paraparë si kundërshtari i parë i Prishtinës për këtë edicion sa i përket Kupës që është trofeu i dytë më i rëndësishëm në Kosovë.” - ka shkruar FC Prishtina në njoftimin e saj.
Kujtojmë, Vëllaznimi është në krizën më të thellë financiare deri tash, ndërsa ekipi është i fundit në renditjen tabelare të Ligës së Parë Grupi A, me gjasa të mëdha për rënie në Ligën e Dytë të Kosovës (kategoria e tretë e futbollit kosovar).