NATIONS LEAGUE: ZVICRA - ANGLIA
Vendi i tretë i takon Anglisë
9 June, 2019 @17:50
Si pothuajse të gjitha ndeshjet ku skuadrat luftojnë për vendin e tretë në një garë, edhe ndeshja e sotme mes Zvicrës dhe Anglisë, që mes vete u ndeshen për vendin e tretë të Ligës së Kombeve, ishte jo edhe aq interesante.
Skuadrat në fjalë kohën e rregullt e mbyllën pa fitues, 0-0, e pas 30 minutave shtesë përsëri skuadrat nuk gjetën rrjetët, me ç‘rast fituesi u detyrua të përcaktohej përmes gjuajtjeve të penalltive. E nga penalltitë më e suksseshme doli nga Anglia, me Zvicrën që gaboi një herë nga gjashtë gjuajtjet e saj, ndërkohë që Anglia shënoi 6/6, për ta fituar kështu vendin e tretë të Ligës së Kombeve në edicionin e parë të kësaj gare.
Si në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Holandës, Anglisë edhe sot iu anulua një gol nga sistemi VAR pak para se të përfundonte koha e rregullt - një nga pak rastet për t’u përmendur nga ndeshja.
Startues për Zvicrën sot ishin edhe Xhaka, edhe Shaqiri. Shaqiri luajti për vetëm 65 minuta, kurse Xhaka gjatë gjithë ndeshjes, madje u tregua edhe i saktë nga gjuajtja e penalltisë. Ndërkohë, Albian Ajeti ishtë në bankën rezervë dhe nuk luajti për asnjë minutë.
Sonte me fillim nga ora 20:45 zhvillohet finalja e Ligës së Kombeve, ku për titullin e më të mirit në këtë garë do të duelojnë Holanda dhe Portugalia.