I AFROHEN KREUT ME PIKË
Vjosa fiton, Livoreka pensionohet me gol të fitores
24 November, 2023 @18:51
Njëri ndër sulmuesit më me përvojë dhe ndër shënuesit e dalluar të disa ekipeve kosovare, Përparim Livoreka, ka shënuar gol në ndeshjen e fundit për te si futbollist aktiv.
Kaçanikasi ka gjetur rrjetën e portës kundërshtare në ndeshjen ku Vjosa mposhti Kikën 2-1 [Riad Murseli 4’, Përparim Livoreka 40’ - Musli Imeri 6’], ndërsa nën ovacionet e bashkëlojtarëve dhe publikut të pranishëm në stadiumin e Shtimes, në momente me lot, i ka dhënë lamtumirën futbollit.
Ekipi i Leotrim Krasniqit me këtë fitore mbanë hapin për luftë drejt Superligës, ndërsa golat e parë erdhën shpejt në ndeshje. Riad Murseli i dha epërsinë që në tentimin e parë të ekipit për 1-0 (4’), derisa i iku mbrojtjes pas një pasimi të gjatë nga thellësia.
Por, mysafirët nuk u dorëzuan. Ata reaguan menjëherë. Që në sulmin e radhës, pas një korneri, reagimi i ngathët i mbrojtjes vendase bëri që topi të arrij te Musli Imeri që barazoi (6’).
E 5 minuta para fundit të pjesës së parë në skenë doli Livoreka, që me përvojën e tij sulmuese krosimin nga e majta, me të parën, shutoi dhe qëlloi portën për fitore (40’).
Pjesa e dytë kaloi pa gola, ndërsa Vjosa me këtë fitore ruan vendin e dytë në Ligën e Parë - Grupi B, duke arritur 28 pikë nga 13 ndeshje, një më pak se liderja Prishtina e Re. Në anën tjetër Kika është e teta me 12 pikë nga 13 ndeshje.