MUSTAFI NË KOSOVË
Vokrri takon kampionin e Botës
29 July, 2014 @17:00
Futbollisti i parë shqiptar i shpallur kampion bote, Shkodran Mustafi, sot ka qenë prezent në zyren e FFK-së, ku është takuar me kryetarin Fadil Vokrri, bashkëpunëtorët e tij në federatë, si dhe me përzgjedhësin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku.
“Na keni bërë që të ndjehemi krenar të gjithëve dhe dashtë zoti ta kesh shëndetin dhe të kesh e të përjetosh edhe suksese tjera në rrugën e juaj prej futbollisti. Ju dhe të tjerët në Brazil keni përfaqësuar kombin shqiptarë në mënyrën më të mirë të mundshme. Rruga e një futbollisti në karrierën e tij përveç që të dhuron kënaqësi, nuk është edhe aq e lehtë sepse kërkon punë e angazhim të pashoq,” tha kryetari Vokrri, derisa Mustafi u shprehur se është ndjerë jashtëzakonisht i emocionuar për respektin që i kanë bërë shqiptarët kudo, ndaj edhe këto suksese janë për ta që e ndihmuan dhe e përkrahën gjatë gjithë kësaj kohe.
Me këtë rast, mbrojtësit 22 vjeçar iu dhurua edhe një fanellë e përfaqësueses së Kosovës me emrin e tij.